Erdit Asllanaj është një emër i ri i skenës por që ka arritur të fitoj zemrat e publikut që në daljen e tij të parë.
Të gjithë e njohim si “Doktori i Portokallisë”, por me rrëfimin e fundit Erditi vjen krejtësisht ndryshe.
I ftuar në “S’e Luan Topi”, aktori na tregon anën e ndjeshme të tij teksa rrëfen lidhjen e ngushtë që ka me prindërit e tij.
Erdit Asllanaj: Mbarova Akademinë e Arteve. Gjithmonë prindërit i kam pasur aty në çdo provim, në çdo shfaqje. Herën e fundit në diplomë, prindërit i kisha në sallë. Kisha lënë shumë mjekër, dhe flokët i kisha lënë të gjata dhe të bardha saqë nuk njihesha shumë, prindërit e mi ndoshta edhe nga emocionet nuk më njohën. Më thoshte mami në përfundim të shfaqjes që deri në minutën e fundit ne nuk të njohëm. Kishim aq shumë emocione saqë dridheshim.
“Unë thjesht kapa dorën e babit dhe i thashë, ore ky trimi jonë ku është?’- më tregonte mami
Dua të them që emocionet e atyre kanë qenë të mëdha. Emocionet e atyre bashkoheshin me emocionet e mia, dhe unë i ndjeja ata. I ndjejë gjithmonë, në çdo hap çdo gjë që kam bërë në jetën time.
Besoj kjo të dhëmbi kur ike në Francë. Ideja që s’do t’i kishe më aty, me ty.
Asllanaj: Po është një merak në fakt. Ti je i lidhur fortë. Ti bën gjëra ti i ndihmon, ata të ndihmojnë, je afër. Por vjen një moment në jetë që ti merr një vendim dhe ata… Unë e di se ç’kanë përjetuar, por nuk ma kanë shprehur kurrë sepse kanë dashur të mos bëhen pengesë, ose të mos më vënë në pikëpyetje zgjedhjen time.
Gjithashtu aktori nuk la pa përmendur edhe rolin me të cilin ai u bë i njohur.
Asllanaj tha se roli i doktorit nuk bazohet në një personazh real, por është një trillim me shumë element brenda që i përshtaten përditshmërisë së shqiptarëve.
“Janë shumë element në këtë personazh që gati u bë fenomen. Nuk ka qenë një doktor i caktuar, por kanë qenë shumë element të mbledhur, të menduar dhe imagjinuar, për të krijuar vërtetë një personazh që është fenomen në Shqipëri. Sepse unë e kam nisur si drejtor në fillim, pra ai njeriu që nuk do të punojë por do të drejtojë dhe më pas u zhvillua personazhi duke arritur në doktor.”- shprehet Erdit Asllanaj