Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë e cila kërkoi që këngëtarja Enca Haxhia të rikthehej në burg teksa hetohet për kultivimin e 5 bimëve kanabisi në ballkonin e vilës së saj në Lundër.
Këngëtarja qëndroi 2 netë në paraburgim, pasi u arrestua nga efektivët, por Gjykata e Tiranës vendosi ta lirojë duke i vendosur masën e ‘detyrimit për tu paraqitur’.
Këngëtarja u arrestua më 14 shtator, nga policia pasi në vilën e saj në periferi të Tiranës iu gjetën 5 vazo të mbjella me kanabis sativa që po rriteshin qetësisht në ballkonin e shtëpisë. Lënda narkotike ishte e varietetit 3 mujor, ndërsa kishte arritur në gjatësi rreth 1 metër dhe ishte gati afër pjekjes. Enca tha se i kishte vetë mbjellë për kureshtje dhe se njëkohësisht është përdoruese e drogës.
Hetuesit ndryshe nga gjykata kërkuan që këngëtarja të hetohej duke qëndruar në qeli në masë arresti me burg. Një verifikim me analiza laboratorike do të faktojë shkencërisht nëse këngëtarja është apo jo përdoruese hashashi, siç ka pretenduar.