Biznesmeni i njohur Lulzim Kryeziu dyshohet se
ka kryer vetëvrasje të enjten pasdite në fshatin Mleqan të Malishevës.
Kryeziu, pronar i pompave të derivateve “Shell Kosova”,
siç raportojnë autoritetet policore në Kosovë vetëvrasja ka ndodhur në një objekt biznesi familjar.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për ngjarjen tronditëse.
Policia e Kosovës tha se një person i moshës madhore është gjetur i varur rreth orës 15:20 këtë të enjte.
“Sot rreth orës 15:20 kemi pranuar informatë se në fshatin Mleqan-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur i varur në një objekt biznesi familjar”, tha Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë.
Në një postim në rrjetet sociale, AKB ka shprehur ngushëllimet për ngjarjen e rëndë.
“Do të kujtojmë gjatë miku im Lulzim Latif Kryeziu. Pse na ike kaq herët! Prehu në paq .
AKB-ja do të mburret gjithmonë me ty dhe punën tuaj në ekonomin e Kosovës si @shellShell brend ndërkombëtar”, shkruan AKB në Facebook.
Më herët gjatë këtij viti, Kryeziu ishte dënuar me 4 muaj burgim dhe një gjobë prej 1 mijë euro për “dhunë në familje”. Ai ishte denoncuar në atë kohë në polici nga bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët ishin shprehur se ndiheshin të rrezikuar.